Skip to content

What they care about

Hi I am Stavri. An Albanian in Sweden, A Swedish in Albania. Curious about what’s ahead, mindful of and caring about what shaped me.

    Të dashur miq, Nga bursa “Sevasti Qiriazi” sot ju shkruan sërish I juaji Stavri. U bënë ca kohë që s’jemi dëgjuar, ndaj dhe po ua them që tani: Uluni diku rehat, merrni një kafe, sepse ky nuk do të jetë një email i shkurtër Shumë gjëra kanë ndodhur në kaq pak kohë, që kur shkruajta herën e fundit këtu. Gjëra që i mendonim të pamundura, gati gati tituj librash fiction(si thuhet fiction në shqip ta hajë e mira?!) Revolucioni i Flamingove! Pse nuk duket si titull filmi apo libri?! Ose, siç më pëlqen mua ta shqipëroj: “Kryengritja e Flamingove”. Po po, Kryengritje! E ku ka fjalë më të goditur se kjo? Të ngresh kryet lart më në fund! Një Shqipëri që është vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Një Shqipëri që duket sikur po zgjohet. Dhe sa bukur që në krye të kësaj “kryengritjeje”, të këtij zgjimi, shohim kaq shumë vajza. Vajza që po flasin, po marrin hapësirë, po kërkojnë të drejtat e tyre, orë mali që po na ushqejnë me atë energji positive, me diçka që na ka munguar prej kohësh. Shpresë! Ndoshta pikërisht për këtë arsye ajo që po bëjmë së bashku ka gjithnjë e më shumë rëndësi. Dhe edhe pse e di që mendimet dhe sytë tuaj kanë qenë, me shumë të drejtë, të drejtuar diku tjetër këto javë e fundit, po ju kërkoj disa minuta për t'ju çfarë ka ndodhur me një ide që ju vendosët t'i besoni disa muaj më parë. Sepse pa mbështetjen tuaj, kjo histori nuk do të kishte arritur deri këtu ku je sot: në përfundim të ciklit të parë të Bursës “Sevasti Qiriazi” duke përzgjedhur katër përfitueset e para. Katër vajza. Katër histori. Katër rrugë që sapo kanë filluar. Dhe kjo është historia që dua t'ju tregoj sot. Na ishte se ç’na ishte…. Por nuk ishte aspak e lehtë :) Një nga skenarët që diskutuam në fillim të këtij rrugëtimi ishte pikërisht ky: Po sikur të mos kemi mjaftueshëm aplikime? Mbaj mend mjaft mirë që unë u përgjigja me shaka: “Shpresoj shumë që të kemi probleme të tilla.” Sepse, në atë moment fokusi ynë ishte te mbledhja e fondeve. Duhej të gjenim 6,000 euro që të mund të jepnim bursat e para. Por... si është ajo shprehja “Kujdes çfarë dëshiron, se ndonjëherë mund të realizohet.”? Sepse kur shpallëm hapjen e aplikimeve për bursa, aplikimet nuk po dukeshin gjëkundi. Me të vërtetë për t’u çuditur! Ne kishim vënë në dispozicion një instrument financiar për të mbështetur studimet universitare dhe shumë pak po aplikonin. Sigurisht, nuk bëhej fjalë për miliona. As për një bursë që do zgjidhte të gjitha problemet financiare të një familjeje. Por gjithsesi, ishim të bindur se kishte vajza që kishin nevojë për këtë mbështetje. Dhe aty kuptuam se nuk mjaftonte të prisnim që aplikantet të vinin tek ne. Duhej të shkonim ne tek ato. Kështu kaluam nga pritës pasivë në kërkues aktivë. Filluam të telefononim miq, të njohur, mësues, drejtues shkollash dhe njerëz që mund të na ndihmonin të arrinim tek familjet dhe vajzat që mund të kishin nevojë. Filluam të flisnim në televizione dhe media të ndryshme. Patëm një mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga gazetarë, televizione dhe drejtues emisionesh që e morën seriozisht këtë nismë dhe na ndihmuan ta çonim informacionin tek njerëzit e duhur. Dhe pastaj filluan të vinin aplikimet. Në fillim disa ishin thjesht mesazhe, fotografi apo CV. Më pas filluan të vinin aplikimet e plota, me dokumentacion, letra motivimi dhe histori personale. Në total patëm rreth 30 kërkesa/aplikime, nga të cilat 20 të plota kaluan në procesin e vlerësimit. Pastaj filloi pjesa më e vështirë. Shqyrtimi u krye nga Këshilli Mbikëqyrës, mbi bazën e një kuadri të përcaktuar vlerësimi. E bëmë këtë që në fillim sepse nuk donim që vendimi të varej nga përshtypja personale e dikujt apo nga ajo se cila histori na preku më shumë. Dhe donim që procesi të ishte sa më i drejtë, i dokumentuar dhe i shpjegueshëm. Vlerësuam rezultatet akademike, motivimin, potencialin, historinë personale dhe, shumë e rëndësishme, nevojën financiare dhe ndikimin që do të kishte konkretisht bursa në mundësinë e vajzës për të vazhduar studimet. Fillimisht kishim menduar të ftonim rreth pesë kandidate në intervistë dhe prej tyre të përzgjidhnim tre përfituese. Por aplikimet ishin shumë të mira. Shumë të mira për t’i thënë jo kaq lehtë. Dhe, sinqerisht, nuk na u duk e drejtë të mbyllnim derën pa i dëgjuar disa prej këtyre vajzave. Kështu, përfunduam duke ftuar 10 kandidate në intervistë. Dy javët e fundit ishin mjaft intensive. Planifikim oraresh, intervista, komunikim me kandidatet, diskutime dhe më pas përsëri diskutime. Por kanë qenë edhe ndër javët më të bukura të këtij projekti. Sepse patëm mundësinë të flisnim drejtpërdrejt me këto vajza. Vajza me histori të ndryshme, nga familje dhe zona të ndryshme, por me një gjë të përbashkët: një dëshirë shumë të fortë për të mësuar dhe për të ndërtuar një të ardhme përmes arsimit. Disa kishin plane shumë të qarta për profesionin që dëshironin. Disa ishin ende duke zbuluar rrugën e tyre. Disa flisnin me shumë vetëbesim. Të tjera ishin më të rezervuara. Por në secilën prej tyre pamë potencial, dëgjuam histori që na pasuruan dhe na prekën. Dhe këtu erdhi edhe pjesa më e vështirë. Duhej të zgjidhnim vetëm katër. Në një moment e kupton se problemi i fillimit, “po sikur të mos kemi mjaftueshëm aplikime?”, ishte kthyer në një problem krejt tjetër: “Si t'u themi jo këtyre vajzave dhe si t'i ndihmojmë të gjitha?” Do të donim të kishim një fond më të madh. Do të donim të jepnim 10 bursa. Pse jo 20! Por të kufizuar nga premtimet e bëra dhe nga fondi i mbledhur, pas gjithë procesit, kemi përzgjedhur katër përfituese. Katër vajza me histori të ndryshme dhe me nevoja të ndryshme, por që në vlerësimin tonë plotësonin më së miri kriteret dhe për të cilat besojmë se kjo mbështetje mund të ketë një ndikim konkret në rrugëtimin e tyre akademik. Shpresojmë që shumë shpejt të mund t'ju prezantojmë edhe me historitë e tyre. Dhe çfarë kemi mësuar? Shumë. Kemi mësuar se mbledhja e parave është vetëm një pjesë e punës. Të gjesh personin e duhur, të krijosh një proces të drejtë, të verifikosh informacionin, të marrësh vendime të vështira dhe të mbash përgjegjësinë ndaj atyre që të kanë besuar paratë e tyre është një përgjegjësi shumë më e madhe. Dhe ndoshta kjo është ajo që na ka emocionuar më shumë gjatë këtij procesi: Besimi juaj. Kur dikush dhuron 20, 50 apo 100 euro, në fund të fundit nuk po jep vetëm para. Po thotë: Unë besoj se ju do ta çoni këtë kontribut tek dikush që ka nevojë për të. Dhe ne e kemi ndjerë këtë përgjegjësi gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Prandaj edhe pse kjo është hera jonë e parë dhe sigurisht nuk pretendojmë se e kemi bërë gjithçka në mënyrë perfekte, premtimin për transparencë do ta mbajmë gjithsesi. Kriteret, mënyra e vlerësimit dhe procesi i përzgjedhjes do të jenë të dokumentuara dhe, në masën që lejon privatësia e aplikanteve, do t'i bëjmë të disponueshëm edhe në faqen e bursës. Por ky nuk është fundi. Në fakt, këtu fillon puna për vitin e dytë. Objektivi ynë është i thjeshtë: më shumë fonde, më shumë bursa, më shumë vajza të mbështetura. Dhe këtu do të kemi përsëri nevojë për ju, jo vetëm përmes kontributeve financiare, të cilat janë gjithmonë të mirëpritura, por edhe përmes kontakteve me biznese, fondacione, individë, që mund të na ndihmojnë ta zgjerojmë këtë nismë. Nëse keni një ide, një kontakt apo thjesht mendoni se njihni dikë që duhet ta dijë për këtë projekt, na shkruani. Një mundësi që i jepet një vajze sot, mund të bëhet një derë e hapur për shumë të tjera nesër. Faleminderit!