Restaurimi i Kishës
së Shën Markut, Kastrat
Drejtuar fort të nderuarve
Besimtarë të Famullisë së Shën Markut, Kastrat
të cilët jetojnë në Diasporë.
___________________________________________
Zoti ju dhëntë paqen.
Para së gjithash dëshiroj t'ju uroj çdo bekim dhe të mirë që vjen prej Zotit si edhe t'ju falënderoj për shembullin e mirë e fjalët e mira që dëgjojmë për ju aty ku jetoni e punoni.
Zoti jua shpërbleftë edhe për çdo të mirë apo kontribut që keni dhënë deri tani, jo vetëm për Kishën tuaj por edhe për kishat në Malësinë tonë të dashur.
Vij tek ju me këtë letër që t'ju vë në dijeni se kemi filluar të restaurojmë Kishën dhe Kuvendin e Shën Markut në Famullinë e Kastratit si edhe restaurimin e jashtëm dhe të brendshëm të Kishës.
Nuk është nevoja që unë t'ju përshkruaj famullinë apo Kishën ku shumë prej jush jeni pagëzuar, krezmuar apo edhe keni vënë kurorë, sepse rrënjët e gjakut dhe të besimit i keni akoma në këtë tokë.
Dëshiroj t'ju përshkruaj më poshtë në mënyrë të gjerë dhe pastaj më shkurtimisht pak nga historia dhe punimet që duhen bërë dhe që sapo kemi filluar.
Në këtë famulli gjenden dy Kisha. Ajo e Shën Markut në Kastrat dhe Kisha e Shën Mhillit në Goraj. Kisha në Goraj është bërë e re falë jush. Kisha e Shën Markut në Kastrat është, sipas Dr. Johann Georg Von Han, e shekullit XVII, është afër 400 vjeçare (J. G. Von Han, Studime Shqiptare, Michigan - Wien 1854, fq 58.). Ishte Prefektura e Misionit që përfshinte 6 Hospice (Kastratin, Hotin, Grudën, Trieshin, Selcën dhe Vuklin). Në përmbledhjen e hulumtimit të tij Z. Ndue Baca shkruan se "Ul Vuka nga frika se mos e humbisnin luftën të vetët, ia premtoi Shën Markut me i ndërtua një Kishë dhe me festua ditën e tij me 25 prill, vetëm që fitonte luftën kundër pashës që donte të nënshtronte banorët e Kastratit". Z. Ndue Baca vazhdon: Duke studiuar me kujdes këto ”dëshmi” historike ne mësojmë se Kisha e Katundit të Kastratit si Prefekturë Apostolike ka “ditëlindjen”, në se mund ta quajmë kështu, ditën e 23 korrikut 1634. Si rrjedhojë, nëse misioni fillon në 1634, i bie që kisha të jetë ndërtuar më herët. U restaurua në vitin 1726, vit që datojnë edhe regjistrat e amzës së Famullisë, por Kisha ka pasur restaurime të tjera deri në ditët e sotme.
Gjendja e Kishës.
Çatia e Kishës është shumë e dëmtuar. Jo vetëm që futet shiu, por në disa vende rrezikon të shembet. Në të njëjtën gjendje është edhe çatia e Kuvendit (Qelës). Do të duhej një ndërhyrje e menjëhershme, për faktin se nëse do binte ndonjë pjesë e çatisë, dëmi do të ishte i madh.
Kuvendi ka nevojë që të bëhet edhe dyshemeja dhe tavani. Dyshemeja e Kuvendit, pas presbiterit të Kishës, është duke u mbajtur nga disa hekura kantieri ndërtimi të cilat janë vënë para disa viteve.
Restaurimi kësaj Kishe (Kisha është e gjatë 25 m dhe e gjerë 9 m. Ajo ka edhe dy kapela anësore, njëra është 11m me 4.5 m dhe tjetra është 8.5 m me 4.10 m). dhe këtij Kuvendi (Kuvendi është 25 m i gjatë dhe 12 m i gjerë). është shumë i rëndësishëm, qoftë për numrin e besimtarëve, por më shumë për vjetërsinë e saj dhe për rëndësinë që ajo kishte në të kaluarën. Kjo ishte Kisha Nënë e të gjithë zonës së Kastratit. Kjo Kishë ekzistonte kur në fshatrat e tjerë si Bajza, Hoti apo Brigjet nuk kishin një qendër kaq të rëndësishme.
Kati përdhes ka disa salla të mëdha. Praktikisht një sallë që ishte refektori (mensa) dhe kuzhina e fretërve dhe një sallë të madhe nga ana tjetër. Ka një Sakristi dhe një zyrë e vogël të famullisë. Nuk ka ujë të pijshëm, por janë dy rezervarë që mbledhin ujin e shiut dhe me pompë duhet të mbushin cisternat. Njëri nga këta rezervarë nuk e mbanë ujin.
Tani për tani do të ishte e rëndësishme bërja e çatisë së Kishës dhe Kuvendit. Edhe pse muret e Kishës janë shumë të trasha, në disa vende arrin deri në një metër, është e nevojshme që të forcohet me një brez betoni dhe hekur. Ajo ka nevojë edhe për ndërhyrje të tjera, si heqjen e suvatimit nga brenda dhe jashtë, izolimi i mureve, impianti i ndriçimit, bërja e një sakristie normale, presbiteri (altarin dhe ambonin e ri, tani janë druri). Kurse Kuvendi do të kishte nevojë për ndërhyrje rrënjësore për ta bërë të shfrytëzueshëm, por tani do të duhej një banje dhe dhomë normale për Meshtarin që shërben.
Meqenëse Kisha nuk është shumë e lartë, është menduar që çatia të bëhet e dukshme me dy dritare të cilat hapen në çati për ajrosjen e Kishës, pasi ka shumë lagështirë.
Nuk mund ta lëmë pas dore këtë Kishë kaq të rëndësishme. Nëse do ia dalim ta realizojmë restaurimin e saj ashtu si mendojmë do të dalë një kryevepër dhe një vlerë e shtuar për fshatin dhe Famullinë. Do të jetë një fortesë e vërtetë Feje.
Në mënyrë sintetike çfarë kemi filluar të bëjmë dhe si mendojmë ta restaurojmë këtë Kishë:
Heqja e suvatimit të jashtëm dhe të brendshëm. (gjë që e ka përfunduar).
Larja me presion i mureve për të hequr papastërtitë dhe bojën e vënë në kohën e komunizmit (e përfunduar).
Stukimi i gurëve me fuga duke e lënë murin e jashtëm të dukshëm.
Vendosja e një Brezi betoni për të përforcuar muret e Kishës dhe të Qelës.
Bërja e çatisë së Kishës me trarë të dukshëm Lamilar të trashë me Izolim termik dhe me dalje rreth 50 cm në anësore për të mbrojtur muret.
Bërja e çatisë së Qelës dhe nëse mundemi restaurimin e brendshëm të Qelës, Tavanin dhe çardakun (dyshemenë).
Heqjen e pllakave dhe gërmimin deri në gurë të shtrojës së Kishës, me qëllim që të shohim nëse kemi edhe themele të më hershme.
Patëm menduar që edhe muret e brendshme të kishës të ishin të dukshme, por muri është shumë i dëmtuar he duhen suvatuar
Bërja e dyshemesë së re me hidroizolim dhe kalimin e të gjithë impiantit elektrik dhe të Mikrofonave nën dysheme.
Ndriçimi i ri dhe Impianti i Mikrofonave i ri.
I domosdoshëm është Elteri i Ri Gurit ose Mermerit sepse tani është një tavolinë druri.
Një Sakristi (Vendi ku veshjet meshtari dhe ku rrinë gjërat për meshë).
Një sekretari e vogël ku ruhen të gjithë regjistrat e Famullisë dhe dokumentacioni.
Dritaret e Kishës dhe të Qelës.
Me ndihmën e Zotit dhe tuajën do t'ia dalim të bëjmë diçka të mirë.
Duke ju falënderuar paraprakisht e thërras mbi ju bekimin e Zotit dhe ndërmjetësinë e Shën Markut.
______________________
Fr. Gazmend Tinaj, ofm
Famullitar i Kishës
së Shën Markut, Kastrat
Organizer
Viktor Pelaj
Organizer
Bloomfield Hills, MI