Të dashur miq, familjarë dhe njerëz të mirë,
Jemi duke nisur këtë fushatë për të ndihmuar Arjanin dhe Besnikun, të cilëve u është shkatërruar shtëpia padrejtësisht gjatë fushatës së fundit të qeverisë për të çliruar "tokat e zaptuara”.
Vetëm javën e kaluar, shtëpia e tyre u shemb nga autoritetet, bashkë me banesa të tjera në zonë, pavarësisht se ata ishin në një proces gjyqësor të hapur për legalizimin e banesës së tyre. Ata nuk morën asnjë paralajmërim real apo dokument zyrtar, dhe nuk iu dha asnjë afat apo mundësi për të mbrojtur pronën dhe të drejtën e tyre përmes rrugëve ligjore.
Shtëpia, e ngritur me shumë mund dhe përkushtim, ndodhej në pronën e tyre familjare, në Theth. Ajo nuk ishte thjesht një ndërtesë, ishte një ëndërr që po merrte formë, një strehë e sigurt për familjen e tyre, e ndërtuar me vite kursimesh, djersë dhe sakrifica. Me një vendim të menjëhershëm dhe të padrejtë, ata humbën gjithçka: strehimin, sigurinë dhe punën e një jete të tërë.
Për këtë arsye po hapim këtë GoFundMe, me qëllimin që t’i ndihmojmë të rindërtojnë jetën aty ku ajo u ndërpre padrejtësisht, në pronën e trashëguar nga të parët e tyre brez pas brezi. Me ndihmën tuaj, ata mund të ringrihen në tokën që u përket me të drejtë, për të vazhduar jetën me dinjitet, për të pasur strehë, siguri dhe shpresë.
Çdo kontribut, sado i vogël, është një ndihmë e madhe. Nëse nuk mund të kontribuoni financiarisht, ju lutemi ndajeni këtë fushatë me rrjetin tuaj. Solidariteti juaj në këto momente është i paçmueshëm. Ju falënderojmë nga zemra për mbështetjen tuaj.





